Rënie Aksionesh 4iG, Probleme për ONE, Frikë Sekuestrimi



Probleme për ONE, rënie e aksioneve të 4iG. Frikë për sekuestrimin e kompanive të lidhura me Orban

Pas deklaratave të kryeministrit të sapozgjedhur hungarez, Magyar, lidhur me hetimin e kompanive që dyshohet se përbënin bazën e sistemit korruptiv të krijuar në Hungari nga Viktor Orban, aksionet e kompanisë 4iG kanë humbur mbi 32% të vlerës së tyre brenda një muaji.

Kompania 4iG zotëron operatorin shqiptar të telefonisë celulare, One Telecommunications. 4iG, e konsideruar si një biznes i lidhur ngushtë me ish-kryeministrin Orban, mund të përballet me probleme ligjore.

Sipas të dhënave nga bursa hungareze, çmimi i aksioneve të 4iG ra në 2340 forintë në mbyllje të tregut të hënën, nga 3400 forintë që ishte një muaj më parë.

Kryeministri i sapozgjedhur Magyar ka deklaruar publikisht se qeveria do të krijojë një zyrë të posaçme, e cila do të verifikojë dhe konfiskojë pasuritë e grupit të ashtuquajtur NER – kompani private, që dyshohet se kanë mbështetur sistemin korruptiv në Hungari.

Kjo është arsyeja kryesore për rënien e ndjeshme të aksioneve të 4iG. Krahasuar me nivelin më të lartë të tyre në fund të vitit të kaluar, çmimi i aksioneve ka pësuar një rënie prej më shumë se dyfishi.

Megjithatë, vetë kompania 4iG është mbrojtur, duke deklaruar publikisht se veprimtaria e saj është bazuar në parime solide dhe se kontratat me prodhuesit kryesorë amerikanë të armëve, siç është Northrop Grumman, ofrojnë garanci për rritje të mëtejshme.

Nëse qeveria e re hungareze do të klasifikojë edhe fondet e blerjes së One nga 4iG si të ardhura nga korrupsioni, kjo mund të hapë skenarë të ndryshëm për të ardhmen e One në Shqipëri.


Scroll to Top