Bordi i Paqes: Shqipëria dërgon 4 oficerë në Gaza, vlerësohet dërgimi i ushtarëve; rrogë shtesë për personelin ushtarak të angazhuar në shuarjen e zjarreve.
TIRANË – Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka bërë të ditura disa vendime të rëndësishme të miratuara në mbledhjen e sotme të qeverisë.
Ministri njoftoi se, në kuadër të operacioneve të Bordit të Paqes, Shqipëria do të dërgojë 4 oficerë në Gaza. Më pas, do të kryhet një vlerësim për numrin e ushtarëve që do të angazhohen në atë zonë, si pjesë e marrëveshjes së Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nga ana tjetër, Nufi informoi për miratimin e një rroge shtesë për të gjithë punonjësit e ushtrisë që janë angazhuar në operacionet e shuarjes së zjarreve.
Po ashtu, ministri i Mbrojtjes theksoi se 5 helikopterë dhe 90 mjete ushtarake janë në gatishmëri për intervenimet kundër zjarreve.
“Situata është menaxhuar në mënyrë shumë të mirë. Kemi shuar mbi 27 vatra zjarri, duke filluar nga Fierzi, Dyrra, Kurbini, Lezha e me radhë. Janë angazhuar mbi 1830 forca në shuarjen e zjarreve. Kapacitetet kanë qenë operacionale”, deklaroi Nufi.
