Skandal: Ministri i Jashtëm ofendon shqiptarët e Maqedonisë

Përdorimi i termit “idiotë” nga Ministri i Jashtëm për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut ka shkaktuar një skandal.

Një mesazh që Ministri për Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, kishte publikuar në një grup komunikimi në WhatsApp, ku në mënyrë fyese iu referua shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, është bërë publik.

“Po ata idiotët shqiptarë atje, çfarë thonë?” – thuhej në reagimin e ministrit, në lidhje me një lajm të dërguar në grupin e diplomatëve nga ambasadori ynë në RMV, Denion Meidani.

Fillimisht, publikimi i mesazhit erdhi nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, por Ministria e Jashtme i hodhi poshtë pretendimet.

Pas reagimit të zëdhënësit të MEPJ, deputeti demokrat Belind Këlliçi ka reaguar duke publikuar pamje të tjera nga grupi i komunikimit, ku duket se Hoxha ka fshirë mesazhin fyes.

Deputeti i PD i ka kërkuar dorëheqjen ministrit të Jashtëm.

“Ferit, ky incident i rëndë, kjo shkelje e paprecedentë e etikës, duke fshirë mesazhin ku ke fyer shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe duke gënjyer me zëdhënës për media, nuk kalohet,” shkruan Këlliçi. “Gjurmët e tua janë aty, tek grupi ‘Ambasadorët’. Jo vetëm e ke bërë atë koment poshtërues, por tani ke nisur gjuetinë e shtrigave për të gjetur personin që nxori mesazhin. Nuk e mbulon dot skandalin me mashtrim. Jep dorëheqjen, është e vetmja mënyrë që të shpëtosh dinjitetin e institucionit që drejton dhe të korrigjosh dëmin që ke shkaktuar në diplomacinë e Shqipërisë. Çdo orë, çdo ditë më shumë e jotja në krye të Ministrisë së Jashtme është një turp për të gjithë ne.”

Scroll to Top