Trump në NATO: “Shkatërruam ushtrinë e Iranit, 159 anije në fund të detit”

“159 anije në fund të detit!” Presidenti Trump flet në Samitin e NATO-s në Ankara: “Shkatërruam ushtrinë e Iranit, bëmë atë që të tjerët s’guxuan për dekada”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka mbajtur fjalimin e tij në Samitin e NATO-s, i cili po zhvillohet në Ankara. Ai iu referua gjerësisht konfliktit ushtarak me Iranin, duke përsëritur disa nga deklaratat e tij të njohura mbi forcën e ushtrisë amerikane dhe situatën e Teherit.

Fjalimi i kreut të Shtëpisë së Bardhë filloi në një ton pozitiv. Ai përgëzoi Turqinë për mikpritjen e samitit të rëndësishëm të aleancës dhe vlerësoi Sekretarin e Përgjithshëm të ri të NATO-s, Mark Rutte.

Megjithatë, kjo atmosferë festive nuk zgjati shumë, pasi Trump kaloi menjëherë në temën kryesore të axhendës globale: luftën me Iranin. Gjatë adresimit të tij para liderëve të aleancës, presidenti amerikan riktheu në diskutim pikat e zakonshme, të dëgjuara shpesh gjatë këtij konflikti.

Trump theksoi se administrata e tij po ndërmerr veprime ushtarake dhe strategjike të prerë, të cilat, sipas tij, administratat e mëparshme amerikane duhet t’i kishin ndërmarrë prej dekadash, por nuk patën guximin e duhur.

Në stilin e tij karakteristik, Trump prezantoi një bilanc të rëndë të goditjeve ndaj forcave iraniane, duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara kanë asgjësuar pothuajse plotësisht kapacitetet e tyre operacionale.

“Kemi shkatërruar ushtrinë dhe marinën e Iranit,” tha Trump përpara aleatëve, duke shtuar me shifra konkrete se plot 159 anije iraniane tashmë ndodheshin “në fund të detit” si pasojë e sulmeve amerikane.

Sipas udhëheqësit amerikan, Teherani zyrtar nuk ka më aftësi ushtarake të mbetura për të sfiduar koalicionin apo për të kërcënuar sigurinë në rajon.

Edhe pse këto deklarata shihen nga vëzhguesit ndërkombëtarë si pika të përsëritura të retorikës së tij të luftës, ato konfirmojnë qëndrimin e palëkundur dhe agresiv të Uashingtonit zyrtar përballë kërcënimit iranian në Lindjen e Mesme.

Scroll to Top