Një goditje e rëndë për Juventusin: Futbollisti që Spaleti e dëshironte, thotë përfundimisht “jo”.
Luçiano Spaleti duhet të rishikojë planet për të ardhmen e Juventusit, pasi nuk mund të mbështetet më te sulmuesi serb Dushan Vlahoviç. Mediat italiane raportojnë se nuk është arritur një marrëveshje mes palëve për rinovimin e kontratës dhe se rrugët e tyre janë ndarë përfundimisht.
Kryesorja e mosmarrëveshjes lidhet me kërkesat financiare të futbollistit, kontrata e të cilit skadon më 30 qershor, pas katër vite e gjysmë si pjesëtar i Juventusit. Ai kërkonte një pagë prej 8 milionë eurosh në sezon, komisione të larta për ndërmjetësuesit, si dhe një bonus të konsiderueshëm në momentin e firmosjes.
Juventusi i ofroi 6 milionë euro në sezon, plus bonuse të lidhura me paraqitjet dhe arritjen e objektivave, por jo për të tjera çështje jashtë fushës së lojës. Si rrjedhojë, palët kanë vendosur t’i japin fund bashkëpunimit. Sulmuesi tashmë do të kërkojë një ekip të ri, ndërsa bardhezinjtë do të hyjnë në treg për t’u përforcuar në repartin ofensiv.
Për Juventusin, kjo situatë paraqet një humbje të konsiderueshme ekonomike, pasi nuk kanë përfituar praktikisht asgjë nga lojtari, për të cilin paguan 70 milionë euro plus 10 milionë euro bonuse kur e transferuan nga Fiorentina.
