Futbollist italian vritet me mjet të mprehtë pas një konflikti për disa pica
Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Itali, ku një futbollist amator 25-vjeçar ka humbur jetën pas një përleshjeje të dhunshme, e cila dyshohet se nisi për një sherr banal lidhur me vjedhjen e disa picave.
Sipas mediave italiane, viktima, Gabriele Vaccaro, i cili kishte luajtur në ekipe të divizioneve të ulëta, po kthehej në orët e para të mëngjesit të së dielës (rreth orës 03:30) së bashku me dy miq. Ata janë përballur me pesë persona të rinj në zonën e Parias.
Mësohet se të rinjtë u kanë kërkuar të dorëzonin picat që kishin me vete, duke shkaktuar një përleshje që degjeneroi në dhunë fizike. Gjatë sherrit, 25-vjeçari u godit me një mjet të mprehtë në qafë dhe bark.
Miqtë e tij fillimisht nuk e kuptuan seriozitetin e plagëve dhe e dërguan në shtëpi, por më pas u kërkua ndihma e urgjencës. Ai u transportua në spital, ku fatkeqësisht ndërroi jetë nga plagët e marra.
Autoritetet italiane kanë arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në ngjarje. Mes tyre janë dy shtetas me nënshtetësi italiane dhe një 17-vjeçar me origjinë egjiptiane, i cili dyshohet si autori i goditjes fatale. Një nga miqtë e viktimës është plagosur lehtë dhe është trajtuar në spital.
Hetimet po vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
