Pjesëtar i një grupi kriminal në Spanjë, 26-vjeçari i arrestuar në Laç për ekstradim
Një 26-vjeçar shqiptar, i cili rezultonte në kërkim nga autoritetet spanjolle si pjesëtar i një bande kriminale të përfshirë në grabitje, është arrestuar ditën e sotme në Laç.
Sipas njoftimit zyrtar, i riu, i identifikuar si Mateo Selala, fshihej në qytetin e Laçit dhe akuzohet për veprat penale të falsifikimit dhe pjesëmarrjes në grup kriminal. Operacioni, i koduar “Operacionalja 91”, u finalizua nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Interpol Tiranën, e cila ka njoftuar tashmë homologët e saj në Madrid për nisjen e procedurave të ekstradimit.
Si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit të veprimeve operacionale me partnerët spanjollë, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit finalizuan fazën e 91-të të operacionit të koduar “Operacionalja”.
Gjatë kësaj faze u lokalizua dhe u arrestua në Laç shtetasi M. S., 26 vjeç. Autoritetet gjyqësore në Spanjë kishin lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar për të në shkurt të vitit 2026, për veprat penale të “Vjedhjes me dhunë”, “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Grupit kriminal”.
Shtetasi M. S. akuzohet se më datat 14 dhe 15 mars 2025, ka kryer vjedhje në dy banesa, në zona të ndryshme të Spanjës. Ai akuzohet gjithashtu edhe për ndryshimin e targave të një automjeti.
Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët në Madrid për ekstradimin e 26-vjeçarit në Spanjë.
