Korridori VIII prishet pa përfunduar, arsyet
Ekspertët e infrastrukturës rrugore kanë ngritur alarmin për cilësinë dhe projektet e dobëta të punimeve në Autostradën e Korridorit VIII.
Një burim nga Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka deklaruar se shembja e fundit në fshatin Dragostunjë, e cila bllokoi për disa ditë lëvizjen, është kryer pa kryer studimin CBR (California Bearing Ratio).
Ky test teknik, i cili mat rezistencën e tokës ndaj depërtimit, është thelbësor në ndërtimin e rrugëve për të vlerësuar fortësinë dhe aftësinë mbajtëse të terrenit. Ai duhet të kryhet para fillimit të ndërtimit për të siguruar që toka ekzistuese të jetë e mjaftueshme për të mbajtur strukturën e rrugës.
Sipas burimit nga ARRSH, punimet në Korridorin VIII janë realizuar pa këtë vlerësim, siç kanë qenë të gjitha rrugët e ndërtuara vitet e fundit. Inxhinieri ka theksuar se mungesa e testit CBR ndikon drejtpërdrejt në jetëgjatësinë dhe sigurinë e rrugës, veçanërisht duke marrë parasysh se Korridori do të shërbejë edhe për nevojat e NATO-s dhe për transportin e mjeteve të rënda ushtarake. Për këtë arsye, CBR konsiderohet si një nga parametrat më të rëndësishëm gjeoteknikë, i cili fatkeqësisht nuk u krye në Korridorin VIII.
Korridori po bëhet në kurriz të mjedisit
Projektet infrastrukturore në Korridorin VIII po përballen gjithashtu me probleme teknike dhe mjedisore të rënda. Gërmimet agresive dhe të pakontrolluara në shtratin e Lumit Shkumbin kanë degraduar bazamentin e shpateve, duke ndryshuar rrjedhën natyrore të ujit dhe duke destabilizuar zonën përreth.
Ndërhyrjet me mjete të rënda në rrjedhën e lumit kanë dëmtuar ekosistemin dhe kanë ekspozuar themelet e shpateve malore. Lumi, i devijuar nga mbetjet e gërmimeve, tani po gërryen pjesët e poshtme të rrugës së re dhe asaj ekzistuese. Pa mbështetjen e bazamentit lumor, masivet e dheut kanë humbur ekuilibrin.
Shembja e fundit në aksin rrugor Elbasan – Librazhd, në fshatin Dragostunjë, është një pasojë e drejtpërdrejtë e gërmimeve në lum. Inxhinieri nga ARRSH paralajmëron se jo vetëm ky aks, por i gjithë shpati mbi zonën e gërmuar në lumë është tani i brishtë dhe priten shembje të mëtejshme.
Ekspertët shprehin shqetësimin se përpjekja për të ndërtuar rrugën mbi shpatet e gërryera është jo vetëm e kushtueshme, por edhe e rrezikshme për jetën e udhëtarëve në të ardhmen. Ata sugjerojnë anulimin e projektit ekzistues, i cili bazohet në mbushje dhe gërmim shpatesh të destabilizuar, dhe bërjen e një riprojektimi nga e para të segmentit, duke përdorur viadukte (ura të larta). Kjo metodë do të lejonte rrugën të kalonte mbi zonën problematike pa prekur më tej shtratin e lumit dhe pa rrezikuar shembjen e malit.
Një burim nga ARRSH ka deklaruar: “Nuk mund të luftohet me natyrën kur e kemi plagosur atë kaq rëndë. Çdo qindarkë e hedhur në muret pritëse aktuale është para e hedhur në lumë. Projekti duhet ndryshuar në mënyrë radikale.”
Ekspertët i bëjnë thirrje institucioneve mjedisore dhe Ministrisë së Infrastrukturës për ndërhyrje të menjëhershme për të ndalur këtë situatë përpara se dëmet të bëhen të pakthyeshme.
Gabimet e mëdha të aksit rrugor të Korridorit VIII
Korridori VIII përshkruhet si një projekt i gjatë dhe aktualisht i ngatërruar me projekte dhe studime që duket se po sabotojnë ecurinë e tij.
Tre vite më parë, kur Korridori VIII u riklasifikua në Rrjetin kryesor Europian të Transportit, qeveria shqiptare aktualizoi projektin, duke zhvendosur segmentin e fundit në territorin shqiptar. Ky segment, nga ura e Bushtricës në Qukës, do të dilte pranë grykës “Shkalla e Skënderbeut” në kufirin me Maqedoninë e Veriut, duke pasur një gjatësi prej 10 kilometrash.
Gjurma e re kalon në një lartësi afro 900 metra në malet e Mënikut, drejt kufirit me Maqedoninë e Veriut, duke e bërë shumë të vështirë mirëmbajtjen pas përfundimit, ndërsa variantet e tjera kalojnë në rreth 600 metra lartësi.
Profesor Faruk Kaba ka vënë në dukje se traseja e re, përveç kostos së lartë, zgjat në mënyrë të panevojshme Korridorin. Ai shtoi se varianti i rënë dakord me palën maqedonase, për shkak të terrenit të vështirë nga Shqipëria, bën një kthesë të gjatë në Maqedoninë e Veriut për t’u kthyer sërish në Qafë-Thanë. Gjithashtu, kjo devijim anashkalon linjën hekurudhore që duhet të shoqëronte trasenë e rrugës.
Profesor Kaba thekson se është bërë një gabim i madh në projektin e bypass-it të Elbasanit. Ai përmend se ka pasur variante pa tunel dhe me kosto më të ulëta, por është zgjedhur një zgjidhje “absurde” me një tunel dy kilometra, që rrit kostot jo vetëm gjatë ndërtimit, por edhe në mirëmbajtje.
Ai gjithashtu kritikon konceptin e gabuar në renditjen e aksit të punimeve. Ndërtimi i segmenteve pas Elbasanit, pa përfunduar më parë bypass-et e Tiranës dhe Elbasanit, nuk ka asnjë vlerë.
Profesor Kaba shpreh shqetësim të madh për realitetin e investimeve rrugore.
