“`html
Shqipëria, ndër vendet me nivelin më të lartë të vrasjeve në Europë
Shqipëria renditet ndër 10 vendet e para në Europë për numrin e lartë të vrasjeve të qëllimshme, në raport me popullsinë, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat. Në vitin 2024, në vend u regjistruan 41 vrasje me dashje, që përkthyer në raport me popullsinë e atij viti (sipas llogaritjeve të Monitor) janë 1.71 vrasje për 100 mijë banorë.
Në këtë nivel, Shqipëria pozicionohet e teta, pas Lituanisë (2.63), Letonisë (2.4), Turqisë (2.27), Malit të Zi (1.92), Estonisë (1.82), Islandës (1.82) dhe Finlandës (1.78).
Krahasuar me një vit më parë, kur në vend kishte 1.27 vrasje për 100 mijë banorë, ky tregues ka pësuar një rritje të ndjeshme për Shqipërinë për dy arsye kryesore:
- Numri i vrasjeve u rrit nga 35 në 41, sipas Eurostat.
- Llogaritjet për vitin 2024 janë bërë me popullsinë sipas Censit të ri, prej 2.39 milionë banorë, krahasuar me 2.76 milionë në vitin 2023.
Numri më i lartë i vrasjeve në vend është shënuar në vitin 2016, me 71 viktima, ose 2.46 vrasje për 100 mijë banorë, sipas të dhënave historike të Eurostat.
Europa sipas Eurostat
Në vitin 2024, në Bashkimin Europian u regjistruan 3,953 vrasje me dashje, duke shënuar një rritje të lehtë prej 1% krahasuar me vitin 2023. Kjo rritje përkthehet në 56 vepra penale më shumë të regjistruara nga policia.
Krahasuar me vitin 2014, kur u regjistruan 4,448 vrasje me dashje, numri i këtyre veprave ka rënë me 11%.
Gjatë periudhës 2014-2024, numri i vrasjeve me dashje ka pësuar luhatje. Niveli më i lartë u shënua në vitin 2015, me 4,616 raste. Nga viti 2016 e në vijim, pati një prirje rënëse, duke arritur në 3,735 raste në vitin 2019. Në vitin 2020, kjo rënie u ndërpre dhe vrasjet me dashje u rritën lehtë në 3,820, përpara se të zbrisnin sërish në nivelin më të ulët të serisë në vitin 2021, me 3,645 raste. Pas vitit 2021, prirja ndryshoi drejtim, me rritje çdo vit: nga 3,838 raste në 2022, në 3,897 në 2023 dhe 3,953 në 2024. Megjithë këtë rritje të fundit, niveli i vitit 2024 mbetet më i ulët se kulmi i mesit të dekadës, rreth 14% më pak se në vitin 2015.
Në përgjithësi, renditja tregon se nivelet më të larta të vrasjeve për 100 mijë banorë janë të përqendruara në vendet baltike dhe në disa vende të Ballkanit.
- Vendet Baltike (Lituania, Letonia, Estonia): Treguesit më të lartë lidhen me faktorë historikë dhe socialë, si trashëgimia e tranzicionit post-sovjetik, konsumi i lartë i alkoolit, konfliktet familjare dhe personale, si dhe pabarazitë sociale. Madhësia më e vogël e popullsisë bën që një numër relativisht i kufizuar rastesh të ndikojë më shumë në treguesin për 100 mijë banorë.
- Turqia: E treta në renditje me 2.27 vrasje për 100 mijë banorë, përbën një rast më vete për shkak të përmasës së madhe të popullsisë dhe faktorëve të brendshëm socialë, politikë dhe rajonalë. Niveli relativisht i lartë lidhet me dhunën familjare, konfliktet personale, pabarazitë mes rajoneve, si dhe me ndikimin e kriminalitetit të organizuar në disa zona.
- Ballkani (Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnjë-Hercegovina, Serbia): Nivelet më të larta lidhen më shumë me faktorë si konfliktet personale, pronësore dhe familjare, gjakmarrja, qarkullimi i armëve, dobësitë në zbatimin e ligjit dhe ndikimi i krimit të organizuar në disa zona. Pas Malit të Zi dhe Shqipërisë renditet Kosova (1.57 për vitin 2020), Maqedonia e Veriut (1.1) dhe më e ulëta në Serbi (0.8).
- Finlandë: Edhe pse renditet ndër dhjetëshe, niveli relativisht më i lartë nuk lidhet me pasiguri të përgjithshme në hapësirat publike, por më shumë me strukturën e vrasjeve, ku një pjesë e madhe e rasteve lidhet me dhunë ndërpersonale, familjare ose mes personave që njihen, shpesh e shoqëruar me përdorim alkooli.
- Islandë: Në vende të vogla, një numër i kufizuar rastesh mund ta rrisë ndjeshëm normën për 100 mijë banorë nga një vit në tjetrin. Islanda, megjithëse del lart në këtë renditje, mbetet ndër vendet më të sigurta dhe më paqësore në botë.
Në grupin e mesëm janë vende si Belgjika, Franca, Bullgaria, Sllovakia dhe Kroacia, ku normat e vrasjeve janë mbi ose pranë 1 për 100 mijë banorë. Në këto vende, rastet lidhen më shumë me kriminalitet urban, dhunë familjare, tensione sociale dhe, në disa raste, me ndikimin e krimit të organizuar ose të rrjeteve të trafikut.
Në fund të renditjes janë vende si Italia, Zvicra, Luksemburgu, Holanda, Çekia, Portugalia dhe Polonia, ku normat janë nën 0.7 për 100 mijë banorë. Këto vende zakonisht karakterizohen nga institucione më të konsoliduara, zbatim më efektiv i ligjit, kontroll më i fortë i armëve, sisteme më të zhvilluara sociale dhe ndërhyrje më të hershme në konfliktet familjare apo komunitare.
“`
