“`html
Sfida për sektorin bankar: balancimi i rritjes me menaxhimin e rrezikut
Intervistë me Bora Feri, Drejtore e Përgjithshme e Bankës së Bashkuar të Shqipërisë (UBA)
Viti 2026 pritet të jetë transformues për sektorin bankar shqiptar dhe të sjellë ndryshime në balancat tradicionale.
Bora Feri, Drejtore e Përgjithshme e Bankës së Bashkuar të Shqipërisë (UBA), thekson se sektori bankar do të përballet me sfida kryesisht të lidhura me nevojën për të balancuar rritjen me menaxhimin e riskut. Sipas saj, ruajtja e cilësisë së portofolit është thelbësore, veçanërisht në një fazë ku kreditimi po rritet dhe ekspozimet në segmente me risk po shtohen, duke kërkuar vigjilencë të shtuar ndaj rreziqeve të akumuluara.
Në të njëjtën kohë, bankat do të përballen me presion mbi marzhet dhe përfitueshmërinë, si rezultat i konkurrencës, SEPA-s, si dhe formalizimit dhe optimizimit të kushteve të tregut. Kjo do të rrisë nevojën për eficiencë operacionale dhe optimizim kostosh.
Transformimi digjital do të mbetet prioritet, por edhe një sfidë, për shkak të kostove të larta, dimensioneve të tregut dhe nevojës për të siguruar kthim konkret nga investimet. Nga ana tjetër, zgjerimi i qëndrueshëm i kreditimit do të vijojë të pengohet nga faktorë strukturorë në ekonomi, si informaliteti, mungesa e projekteve të mirëstrukturuara dhe peizazhi global.
Në këtë kontekst, znj. Feri mendon se suksesi i bankave në vitin 2026 do të varet gjithnjë e më shumë nga aftësia për të rritur cilësinë e operacioneve, për të menaxhuar riskun dhe për të ruajtur qëndrueshmërinë afatgjatë, më shumë sesa nga rritja e thjeshtë e volumit.
Si e vlerësoni ecurinë e aktivitetit të bankës suaj gjatë vitit të kaluar dhe cilat ishin, në këndvështrimin tuaj, zhvillimet më të rëndësishme për sektorin bankar në përgjithësi?
Vitin e kaluar, ecuria e aktivitetit të UBA Bank ka qenë pozitive. Duke pasur parasysh ndryshimet në pronësinë e bankës këto dy vitet e fundit dhe angazhimin për futjen e një fryme të re në institucion, jemi përqendruar në përmirësimin e cilësisë së aktiveve dhe krijimin e një pozicioni solid në drejtim të likuiditetit dhe kapitalizimit. Fokusi ynë ka qenë në mbështetjen e klientëve ekzistues dhe zgjerimin selektiv në segmente me potencial, duke ruajtur një qasje të kujdesshme ndaj menaxhimit të riskut.
Sa i përket sektorit, mendoj se në rrethanat gjeopolitike aktuale vazhdon të mbetet stabil, likuid dhe i mirëkapitalizuar. Kërkesat për financim mbeten të kënaqshme. Pas tendencës së viteve të shkuara për konsolidim të sektorit bankar, viti i kaluar shënoi rritje të konkurrencës me hyrjen e parashikuar të dy bankave të reja në treg, njëra prej të cilave krejtësisht digjitale. Të tjerë grupe bankare po vlerësojnë mundësitë në treg gjithashtu.
Digjitalizimi vazhdon të mbetet kryefjala e zhvillimeve afatshkurtra dhe të mesme në sektor, shtyrë edhe nga nismat e Bankës së Shqipërisë lidhur me modernizimin e sistemeve të pagesave dhe përfshirjen e Shqipërisë në SEPA dhe së fundmi në TIPS Clone. Ndaj, në të ardhmen e parashikueshme mendoj se sistemi do të fokusohet edhe më shumë tek inovacioni, siguria, rritja e eficiencës së proceseve dhe krijimi i produkteve më pak tradicionale, për t’iu përgjigjur realitetit që ndryshon. Ndërkohë që ka një thellim të digjitalizimit të produkteve dhe shërbimeve bankare, paralelisht, në dy vitet e fundit, po shohim edhe një rritje të numrit të degëve dhe punonjësve të sektorit bankar.
Kur prisni të arrijmë në një fazë të reduktimit të pranisë fizike të bankave dhe zhvendosje në shkallë më të gjerë drejt bankingut digjital?
Sado që ne jetojmë në një realitet pashmangshmërisht digjital, ky i fundit është i adoptueshëm më lehtësisht në jetën e përditshme se sa në veprimtarinë bankare. Siç përmenda edhe më sipër, nisma nga Banka e Shqipërisë, nisma e qeverisë shqiptare si Cashless Albania, apo pranimi i pagesave alternative në pikat e shitjes kanë qëllim të shtyjnë drejt reduktimit të parasë fizike dhe zhvendosjen drejt digjitalizimit.
Tendenca në rritje e numrit të degëve dhe punonjësve – çka është bërë edhe nga UBA Bank, apo ndonjë bankë tjetër: në dy vitet e fundit kemi 4-fishuar numrin e degëve – tregon se tranzicioni drejt një modeli principalisht apo plotësisht digjital nuk do të jetë linear dhe as i menjëhershëm. Kjo qasje e tregut sugjeron që digjitalizimi në sektorin bankar në Shqipëri është ende më shumë “shtesë” sesa “zëvendësues” i pranisë fizike. Bankat me prani fizike vazhdojnë ta kenë absolutisht të nevojshme marrëdhënien e drejtpërdrejtë me klientin, e cila deri në një moment të ardhshëm është e nevojshme për të ushqyer besimin që klientët kanë karshi institucionit.
Tregu duhet gjithashtu të kuptojë se qasja që sjell ndryshim duhet të jetë më gjithëpërfshirëse dhe e nxitur nga nevoja dhe kërkesat që vijnë nga ekonomia dhe shoqëria. Pra, teknologjia në vetvete nuk është e mjaftueshme për të nxitur digjitalizimin e shpejtë. Konkurrenca në produkte, edukimi më i thelluar financiar, formalizimi më i lartë i ekonomisë janë faktorë që do të nxisin digjitalizimin e shpejtë. Në mungesë të këtyre faktorëve, ekziston rreziku që sektori të mbetet në një gjendje “hibride” për një periudhë më të gjatë nga sa pritet.
Në vijim të një cikli konsolidimi që zgjati rreth një dekadë, në vitin 2026, numri i bankave tregtare aktive në Shqipëri pritet të rritet për herë të parë pas 20 vjetësh. Besoni se ndodhemi në fillimet e një cikli të ri zgjerimi të bankave në treg apo në afat të gjatë sistemi bankar do t’i kthehet përqendrimit dhe konsolidimit?
Rritja e numrit të bankave në vitin 2026 është një zhvillim pozitiv, por më shumë duket si një devijim ciklik sesa fillimi i një trendi të qëndrueshëm zgjerimi. Faktorët që kanë nxitur konsolidimin në dekadën e fundit — madhësia e kufizuar e tregut, reduktimi i popullsisë, presioni mbi marzhet, kërkesat rregullatore dhe të sigurisë kibernetike, si dhe kostot e larta të teknologjisë — mbeten ende të pranishme dhe madje më të theksuara. Në këtë kuadër, hyrjet e reja të bankave në treg ka të ngjarë të jenë më të targetuara për segmente specifike.
Në një periudhë afatgjatë, sistemi bankar pritet t’i rikthehet një trajektoreje konsolidimi dhe përqendrimi, i nxitur nga përmasat e tregut, nevoja për shkallëzim, eficiencë dhe investime të vazhdueshme.
Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë vendosi për herë të parë disa kufizime direkte në huadhënien për blerjen e pasurive të paluajtshme rezidenciale, por sërish kredia në këtë segment vazhdoi rritjen me ritme të larta. Si i vlerësoni rreziqet e lidhura me ekspozimin në tregun e pasurive të paluajtshme dhe si do t’i përballonte sektori efektet e një krize të mundshme në këtë treg?
Veprimtaria në sektorin e pasurive të paluajtshme, pavarësisht rëndësisë absolute strategjike dhe rregullimit strikt, mbetet subjekt i nocionit ekonomik bazë “kërkesë-ofertë”. Fakti që pavarësisht shtrëngesave rregullatore për financimin e sektorit, kërkesa është në rritje, tregon se kurba e zhvillimit të këtij sektori nuk e ka arritur ende kulmin.
Thënë kjo, historia botërore jo shumë e largët ka treguar që ky sektor është volatil, ciklik dhe shumë i ndjeshëm ndaj goditjeve makroekonomike. Edhe në një treg bankar të mirëkapitalizuar dhe likuid, rreziqet mbeten: rritja e çmimeve pa baza në faktorë të parashikueshëm, përqendrimi i portofolit, paqëndrueshmëria e industrisë, varësia ndaj faktorëve të jashtëm gjeopolitikë, etj. Tani për tani, rreziku nuk duket iminent, por gjykoj që edhe në rast të një korrigjimi të tregut, ndikimi do të ishte i menaxhueshëm në terma sistemikë.
Sigurisht do të ketë dallgë, rritje të kredive me probleme, ose rritje të aktiveve të bankave me pasuri të paluajtshme nga ekzekutimi i kolateraleve. Pra, pavarësisht se nuk shihen rreziqe të menjëhershme për stabilitetin financiar, rritja e shpejtë në këtë segment kërkon vigjilencë të shtuar nga sistemi, pasi vulnerabilitetet priren të materializohen me vonesë në cikle të tilla.
Cilat mendoni se do të jenë çështjet dhe sfidat kryesore për sektorin bankar për vitin 2026?
Viti 2026 pritet të jetë transformues dhe të sjellë ndryshime në balancat tradicionale të bankingut. Sektori bankar pritet të përballet me sfida kryesisht të lidhura me nevojën për të balancuar rritjen me menaxhimin e riskut. Ruajtja e cilësisë së portofolit mbetet thelbësore, veçanërisht në një fazë ku kreditimi po rritet dhe ekspozimet në segmente me risk po shtohen, duke kërkuar vigjilencë të shtuar ndaj rreziqeve të akumuluara.
Njëkohësisht, bankat do të përballen me presion mbi marzhet dhe përfitueshmërinë, si rezultat i konkurrencës, SEPA-s, si dhe formalizimit dhe optimizimit të kushteve të tregut. Kjo do të rrisë nevojën për eficiencë operacionale dhe optimizim kostosh.
Transformimi digjital do të mbetet prioritet, por edhe një sfidë, për shkak të kostove të larta, dimensioneve të tregut dhe nevojës për të siguruar kthim konkret nga investimet. Nga ana tjetër, zgjerimi i qëndrueshëm i kreditimit do të vijojë të pengohet nga faktorë strukturorë në ekonomi, si informaliteti, mungesa e projekteve të mirëstrukturuara dhe peizazhi global.
Në këtë kontekst, suksesi i bankave në vitin 2026 do të varet gjithnjë e më shumë nga aftësia për të rritur cilësinë e operacioneve, për të menaxhuar riskun dhe për të ruajtur qëndrueshmërinë afatgjatë, më shumë sesa nga rritja e thjeshtë e volumit.
LEXONI EDHE:
“`
