Përkeqësohen treguesit e punësimit tek të rinjtë në tremujorin e parë
Integrimi i të rinjve në tregun e punës vijon të mbetet një nga sfidat më të mprehta që ekonomia vendase nuk po arrin ta zgjidhë prej vitesh. Të dhënat më të fundit nga Anketimi Tremujor i Forcave të Punës, për tremujorin e parë të vitit 2026, tregojnë se shkalla e punësimit për të rinjtë ka pësuar një rënie të vazhdueshme, duke zbritur në nivelin 42,8%, nga 44,8% që ishte në tremujorin e parë të vitit 2025.
Në krahasim, popullsia e moshës 30-64 vjeç shfaq një situatë krejtësisht tjetër, duke ruajtur një shkallë punësimi të lartë dhe të qëndrueshme prej 78,6% në fillim të këtij viti.
Përveç vështirësive në gjetjen e një vendi pune, të rinjtë përballen edhe me një shkallë alarmante papunësie, e cila ka arritur në 16,9% gjatë tremujorit të parë të vitit 2026. Kjo shifër është më shumë se dyfishi i shkallës së papunësisë së regjistruar tek grupmosha 30-64 vjeç, e cila qëndron në nivelin 7,7%.
Shqetësues mbetet edhe fakti se papunësia e të rinjve ka pësuar një rritje të ndjeshme me 1,8 pikë përqindje krahasuar me tremujorin paraardhës (ku ishte 15,1%). Ky zhvillim dëshmon se forca e punës e brezit të ri është më e para që preket nga luhatjet dhe pasiguritë e tregut.
Nga ana tjetër, papunësia për popullsinë 15 vjeç e lart zbriti në 8,4%, me një përmirësim prej 0,3 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025.
INSTAT sqaron se këto vlerësime mbështeten në një kampion prej rreth 7.900 familjesh, të kalibruar mbi të dhënat më të fundit të Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023.
Sektori i shërbimeve ka udhëhequr ecurinë pozitive, me një rritje vjetore prej 4,2% dhe një rritje tremujore prej 1,0%. Në drejtim të kundërt, sektorët e bujqësisë dhe industrisë kanë vijuar të tkurren, ku rënia më e ndjeshme tremujore u regjistrua në sektorin e industrisë, me një tkurrje prej 5,7%.
Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë e moshës 15-64 vjeç arriti në 76,2%. Ky tregues paraqet një rritje prej 0,3 pikë përqindjeje në krahasim me tremujorin e mëparshëm, ndonëse ka pësuar një rënie të lehtë prej 0,5 pikë përqindjeje nëse krahasohet me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Nga ana tjetër, shkalla e punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart u vlerësua në 58%. Ky tregues ka shënuar rënie në të dyja krahët e krahasimit, duke u ulur me 0,3 pikë përqindjeje në nivel vjetor dhe me 0,5 pikë përqindjeje në nivel tremujor.
