Turizmi Shqiptar: Promovimi apo Sherbimet Publike?

“`html

Rritja e turizmit kërkon mbi të gjitha shërbime publike cilësore

Nga Av. Ardjana Shehi, MBA AK PARTNERS Legal & Consulting

Turizmi është një nga sektorët prioritarë të ekonomisë shqiptare dhe po punohet në shumë forma për promovimin e tij. Ligji për Turizmin dhe kuadri ligjor e nënligjor mbështetës, përfshirë strategjinë kombëtare të turizmit dhe planet e veprimit përkatëse, përbëjnë bazën ligjore e institucionale, duke caktuar parimet dhe prioritetet në hartimin dhe zbatimin e politikave në fushën e turizmit.

Komisioni Europian, në raportin e vitit 2025, e konsideron turizmin një nga faktorët kryesorë të rritjes ekonomike të Shqipërisë dhe vlerëson se vendi mbetet konkurrues si destinacion turistik, duke ofruar një gamë në zgjerim të shërbimeve. Nga perspektiva ekonomike e Bashkimit Europian (BE), turizmi gjeneron eksporte shërbimesh; në terma ekonomikë, turisti i huaj në Shqipëri konsiderohet si gjenerues i të ardhurave nga eksporti i shërbimeve.

Komisioni Europian evidenton se zhvillimi i mëtejshëm i sektorit kushtëzohet nga përmirësimi i infrastrukturës së transportit dhe asaj digjitale, adresimi i mangësive në aftësitë profesionale dhe forcimi i kapaciteteve të fuqisë punëtore. Në kuadër të Screening Report për Cluster 3 “Competitiveness and Inclusive Growth”, Komisioni vlerësoi se Shqipëria i përafron objektivat e turizmit me ato të BE-së, por rekomandon forcimin e mbrojtjes së konsumatorit, shkëmbimit të të dhënave dhe monitorimit të flukseve turistike.

Albania Report 2025 thekson se zhvillimi i investimeve turistike, veçanërisht në zonat malore dhe të mbrojtura, duhet të respektojë vlerat ekologjike dhe të biodiversitetit, si dhe të garantojë transparencë të plotë. Komisioni Europian shpreh shqetësim të veçantë për ndikimet e mundshme mjedisore të investimeve të mëdha në zonat e mbrojtura dhe kërkon përafrim, zbatim dhe zbatueshmëri të plotë të rregullave të BE-së për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (EIA), Vlerësimin Strategjik Mjedisor (SEA), mbrojtjen e natyrës, ujërave dhe biodiversitetit, si dhe pjesëmarrjen e publikut.

Qëndrimi i Komisionit Europian është se zhvillimi i turizmit duhet të mbështesë rritjen ekonomike dhe zhvillimin rajonal, por duhet të realizohet brenda një modeli të qëndrueshëm dhe të integruar, ku investimet turistike janë të pajtueshme me kërkesat mjedisore dhe standardet e acquis-it të Bashkimit Europian.

A po punojmë për turizëm afatgjatë të qëndrueshëm?

Në këtë kuadër vlerësimi, dhe duke qenë se po provohet rritja e të ardhurës kombëtare nga turizmi, pyetja që shtrohet dhe të cilës i duhet dhënë përgjigje me veprim mirëbesimi është: A po punojmë për turizëm afatgjatë të qëndrueshëm?

Fushatat promovuese kanë sjellë rritje të numrit të turistëve. Është fakt se ky promovim vazhdon të bëhet nëpërmjet marketimit të pasurive dhe monumenteve natyrore, historike, kulturore të Shqipërisë, si dhe mbi të gjitha, të kapaciteteve akomoduese (hoteleri, bujtina, etj.) dhe veçantitë e cilësinë gastronomike kulinare që ofron Shqipëria.

Për qëllime të turizmit të qëndrueshëm afatgjatë, duhet të kuptojmë se turizmi nuk kërkon dhe nuk duhet të mbështetet vetëm në promovim dhe shitje të kapaciteteve / shërbimeve private hoteleri e kulinari, aktivitete argëtimi, kulturore, etj. Turizmi kërkon të mbështetet nga të gjitha shërbimet dhe kapacitetet e tjera private e publike që shoqërojnë turistin, që nga hyrja e deri në dalje nga territori i Shqipërisë, si në rastin kur udhëtimi shkon këndshëm, ashtu edhe kur ka surpriza të paplanifikuara, si aksidente rrugore, etj.

Në këtë plan, turizmi kërkon funksionim të mirë të policisë kufitare, policisë rrugore, policisë së rendit, doganave, organeve licencuese e inspektuese të industrisë së hotelerisë e asaj ushqimore e gastronomisë (përfshirë sigurinë ushqimore), subjekteve të industrisë argëtuese (përfshirë licencimin dhe inspektimin e guidave, të mjeteve në përdorim të tyre lidhur me sigurinë jetësore të turistëve). Gjithashtu, kërkon funksionim me standarde europiane të shërbimeve bankare e financiare, përfshirë shërbimet e shoqërive të sigurimit, funksionimin e dokumentimit fiskal të aktivitetit të subjekteve tregtare e jotregtare të përfshira, etj.

Turizmi kërkon që institucionet shtetërore dhe shërbimet publike të maksimizojnë sigurinë e jetës dhe shëndetit të turistëve, shërbime cilësore edhe në rast aksidentesh e raste të ngjashme, duke përfshirë shërbimet shëndetësore, policore, ekspertimin teknik e mjekoligjor, organet e prokurorisë e gjykatës, shoqëritë e sigurimit, si dhe veprimtarinë funksionale të dhënies së drejtësisë.

Realiteti i deritanishëm lidhur me turizmin në Shqipëri është që domosdoshmëria e cilësisë së shërbimeve publike administrative e të drejtësisë anashkalohet pasi mbivendoset prioriteti i promovimit të turizmit në format dhe synimet e sipërpërmendura. Duket se nuk ka fokus prioritar që, si në çdo sektor apo industri, qëndrueshmëria të testohet e sigurohet bazuar në kënaqësinë afatgjatë të klientit, në këtë rast të turistit, mbi funksionimin e ligjit dhe institucioneve në Shqipëri.

Rëndësia e shërbimeve

Kënaqësia e turistit nuk duhet synuar e testuar vetëm për cilësinë e shërbimeve akomoduese e kulinare, por mbi të gjitha, lidhur me cilësinë e shërbimit, korrektesën etike dhe sjelljen ligjore të punonjësve të administratës shtetërore, përfshirë policinë dhe organet e drejtësisë (në rastet kur turistët duhet të përballen me nevojën për shërbimin e marrjes së drejtësisë në Shqipëri dhe jo vetëm).

Është e rëndësishme të kuptohet se maksimizimi i cilësisë dhe mirëbesimit në dhënien e këtyre shërbimeve publike, e lidhur edhe me shërbime private të lidhura, si shërbime të shoqërive të sigurimit, etj., do të mundësojë qëndrueshmëri afatgjatë të turizmit.

Qeveria, organet politikëbërëse, organet rregullatorë, licencuese e inspektuese, të zbatimit të ligjit, etj., të shtetit Shqiptar duhet të kenë në vëmendje se ardhja e turistëve të huaj teston edhe cilësinë dhe standardet e funksionimit të institucioneve shqiptare (përfshirë edhe standardet e zbatimit të ligjit, shmangies së praktikave korruptive, etj.), si dhe sa gati jemi në praktikë në këto parametra për t’iu bashkuar familjes së zhvilluar europiane.

Në këtë kuptim, turizmi teston si arrihet standardi i kërkuar përkatës, jo vetëm tek turistët por edhe tek shtetasit shqiptarë. Nuk duhet të harrojmë gjithashtu se ardhja e turistëve europiane në Shqipëri teston edhe sa europianë jemi ne vetë shqiptarët në të menduarit dhe të vepruarit. Treguesit e mirë në të gjitha sa më sipër, nëse janë të provuara në përditshmëri si të qëndrueshme edhe nga turistët nga vendet anëtare të BE, lehtësojnë edhe vendimmarrjen e politikës së shteteve anëtare të BE për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Turizmi është një mekanizëm testimi i përkryer për të inspektuar dhe analizuar nivelin e standardeve në praktikat e përditshme në Shqipëri, mbi të gjitha, lidhur me performancën ligjore e institucionale dhe nivelin e praktikave korruptive të institucioneve shqiptare.

Vendosja e fokusit në forcimin e shtetit të së drejtës në funksion të zhvillimit të turizmit dhe promovimi i turizmit bazuar në sigurinë e funksionimit të shërbimeve publike lidhur me turizmin, do të bëjë turizmin tonë të qëndrueshëm në afatgjatë dhe do të realizojë interesin publik që turizmi ka për Shqipërinë.

Mesazhi

Vendosja e fokusit në forcimin e shtetit të së drejtës në funksion të zhvillimit të turizmit dhe promovimi i turizmit bazuar në sigurinë e funksionimit të shërbimeve publike lidhur me turizmin, do të bëjë turizmin tonë të qëndrueshëm në afatgjatë dhe arritjen e interesit publik që turizmi ka për Shqipërinë.

—— RAPORTI I BASHKIMIT EUROPIAN (2025)

“`

Scroll to Top