Tarifë e re për karburantet: Rezerva e sigurisë së naftës

Tarifë e re për karburantet, fondet do të përdoren për krijimin e rezervës së sigurisë së naftës bruto

Qeveria synon krijimin e një rezerve strategjike të naftës, duke përfshirë naftën e papërpunuar dhe nënproduktet e saj, e cila do të administrohet nga një Autoritet shtetëror. Projektligji i publikuar nga Këshilli i Ministrave parashikon ngritjen e Autoritetit për Rezervën e Sigurisë së Naftës, një operator publik i autorizuar për blerjen, shitjen dhe ruajtjen e këtyre rezervave. Rezerva e naftës bruto do të krijohet si nga depozitimet e Autoritetit, ashtu edhe nga ato të operatorëve ekonomikë.

Operatorët ekonomikë që do të depozitojnë naftë për rezervat e sigurisë do të jenë përgjegjës për ruajtjen, mirëmbajtjen dhe sigurinë fizike të tyre, kundrejt një tarife që do t’u paguhet Autoritetit.

Projektligji parashikon se:

  • Tarifa për krijimin dhe depozitimin e rezervës së sigurisë do të paguhet për llogari të Autoritetit.
  • Institucionet që do të bashkëpunojnë me Autoritetin për mbledhjen e tarifës dhe mënyra e mbledhjes do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
  • Tarifa do të mblidhet në momentin e vënies në qarkullim të produktit në treg, sipas legjislacionit doganor.
  • Operatorët ekonomikë janë të detyruar të dorëzojnë të dhënat për pagesën e realizuar pranë Autoritetit brenda 20 ditësh pas përfundimit të muajit kalendarik.

Të ardhurat nga kjo tarifë do të jenë burimi kryesor i financimit për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e rezervës së sigurisë. Tarifa do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, të propozuar nga ministrat e Financave dhe Energjisë, dhe do të mblidhet në momentin e hedhjes së produktit në qarkullim.

Projektligji përcakton gjithashtu gjoba për operatorët ekonomikë që shkelin rregullat, duke filluar nga 2 milionë deri në 10 milionë lekë. Për shkelje më të rënda, gjoba mund të arrijë deri në 10 milionë lekë, dhe përsëritja e shkeljeve mund të shoqërohet me ndalim të përkohshëm të aktivitetit për qëllime të rezervës së sigurisë.

Projektligji parashikon që brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi, Këshilli i Ministrave të miratojë aktet nënligjore përkatëse, të cilat do të përcaktojnë mënyrën e llogaritjes së rezervave, funksionimin e Autoritetit, tarifën dhe rregullat e tjera të zbatimit.

Scroll to Top