“`html
Tedi Blushi deklaratë nga dera e burgut ku ndodhet Ilir Meta: E kanë izoluar, nuk na lënë ta takojmë
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka denoncuar nga jashtë ambienteve të IEVP “Jordan Misja” atë që ai e cilëson si rikthim të masave të ashpra izoluese ndaj ish-presidentit Ilir Meta.
Blushi deklaroi se prej një jave deputetët e Partisë së Lirisë po pengohen të takojnë Metën, pavarësisht se, sipas tij, disponojnë lejet përkatëse. Ai shtoi se edhe vetë, në cilësinë e deputetit, është penguar për të tretën herë radhazi që të takohet me ish-presidentin, ndonëse posedon një leje të posaçme nga SPAK.
“Pa asnjë justifikim, për të tretën herë radhazi, pa asnjë lloj shkrese, pa asnjë lloj argumenti ligjor, jam penguar nga administrata e burgjeve të takohem me zotin Meta”, u shpreh Blushi.
Sekretari i Përgjithshëm i PL-së e cilësoi situatën si shkelje të ligjit, Kushtetutës dhe Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Ai iu referua gjithashtu rekomandimeve të Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, duke pretenduar se ato kërkojnë që deputetët të mos pengohen në takimet me Metën.
“Rikthimi i masave izoluese është në fakt një urdhër kriminal i drejtpërdrejtë i Edi Ramës”, deklaroi Blushi, duke e lidhur situatën edhe me ankimimin e çështjes së Metës në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Ai i bëri thirrje Ministrisë së Drejtësisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, SPAK-ut, Avokatit të Popullit, Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe institucioneve ndërkombëtare që të reagojnë ndaj situatës.
Blushi pretendoi gjithashtu se ndaj Metës po rikthehen masa represive dhe se procesi gjyqësor ndaj tij po zhvillohet në kushte që, sipas tij, kufizojnë transparencën dhe informimin e publikut.
“Ne nuk po kërkojmë asnjë privilegj. Po kërkojmë zbatimin me rigorozitet të ligjit, të Kushtetutës dhe të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut”, tha mes të tjerave Blushi.
Deklarata e plotë:
- Ka shkelje flagrante të dy rekomandimeve të dy institucioneve, të Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, që u mundësojnë dhe kërkojnë që deputetët të mos pengohen të takojnë liderin dhe presidentin e Partisë së Lirisë, zotin Ilir Meta.
- Prej kohësh, në cilësinë e deputetit të Partisë së Lirisë, që ligji ia mundëson të drejtën për t’u takuar pa asnjë lloj kufizimi me zotin Meta dhe me këdo tjetër të paraburgosur, shtohet dhe fakti që si deputet jam pajisur me një leje të posaçme nga SPAK për takime me zotin Meta.
- Pa asnjë justifikim, për të tretën herë radhazi, pa asnjë lloj shkrese, pa asnjë lloj justifikimi, pa asnjë lloj argumenti ligjor, jam penguar nga administrata e burgjeve të takohem me zotin Meta.
- Rikthimi i masave izoluese është në fakt një urdhër kriminal i drejtpërdrejtë i Edi Ramës që nuk synon asgjë tjetër veçse të ushtrojë presion ndaj zotit Meta, ndaj Partisë së Lirisë, presidenti i së cilës prej më shumë se 21 muajsh ndodhet në izolim ekstrem pa asnjë fakt dhe pa asnjë provë penale.
- Refuzimi i të drejtës ligjore, kushtetuese, të garantuar edhe nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, për t’u takuar me zotin Meta, nuk është asgjë tjetër veçse tmerr i Edi Ramës nga fuqia elektorale e zotit Meta, i cili tanimë është rikthyer nën masa të ashpra, izolimi ekstrem, duke iu mohuar dhe një e drejtë kushtetuese.
- Ne nuk po kërkojmë asnjë privilegj. Po kërkojmë zbatimin me rigorozitet të ligjit, të Kushtetutës, të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
- I bëj thirrje Ministrit të Drejtësisë, i bëj thirrje Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, të bëjnë kujdes, të mos zbatojnë urdhrat e verbër të Edi Ramës për të izoluar pa asnjë fakt dhe pa asnjë provë penale zotin Meta, dhe për më tepër për t’i mohuar të drejtat që atij ia garanton ligji, Kushtetuta dhe Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut.
- Ne nuk po kërkojmë asnjë privilegj.
- I bëj thirrje Avokatit të Popullit, Komitetit Shqiptar të Helsinkit, të cilat kanë nxjerrë disa raporte dhe disa rekomandime, ku i kërkojnë administratës patronazhiste të burgjeve, t’i japin fund kësaj sjelljeje kriminale dhe shkelje të hapur të ligjit, t’i japin fund refuzimit të së drejtës së deputetëve, dhe mbi të gjitha edhe të zotit Meta, për t’u takuar me funksionarë të Partisë së Lirisë.
- Rikthimi i masave represive, rikthimi i izolimit ekstrem të zotit Meta nuk tregon asgjë tjetër veçse tmerrin e Edi Ramës nga fakti se pas më shumë se 34 viteve hetim e gjetje e gjithë jetës së tij, është zbuluar zero fakt penal kundër tij, është zbuluar zero kundërvajtje administrative nga ai, dhe jo më kot ai urdhëroi së fundmi edhe gjykatësin e Lanës të miratojë një rregullore skandaloze që shkon kundër frymës së Kushtetutës, kundër Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, duke censuruar dhe duke dënuar tanimë edhe gazetarët për të transmetuar të vërtetën e hetimeve skandaloze, standardet e hetimeve të cilat janë të njëjta me standardet e rrëmbimit kriminal të zotit Meta.
- I bëj thirrje trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.
- I bëj thirrje të gjitha institucioneve ndërkombëtare që monitorojnë respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut në Shqipëri, të reagojnë me forcë ndaj këtij rasti të përsëritur, recidivist, që tregon dhe një herë se kush ka qenë standardi i hetimeve, se kush është standardi i gjykimit dhe se kush është standardi i izolimit pa asnjë fakt dhe pa asnjë provë penale të një prej dy liderëve kryesorë të opozitës, liderit të Partisë së Lirisë, presidentit të pathyeshëm të Partisë së Lirisë, zotit Ilir Meta, të cilin me këto masa represive ky regjim kriminal dhe patronazhist, kjo administratë patronazhiste dhe aspak profesioniste e burgjeve mendon se do ta lodhë duke i pamundësuar atij të drejtën për t’u takuar me deputetë, për t’u takuar me eurodeputetë, dhe për t’u takuar me të gjithë ata të cilët sot disponojnë edhe një leje të posaçme nga SPAK.
- I bëj thirrje SPAK të reagojë fuqishëm dhe të mos fshihet pas Edi Ramës, të mos fshihet pas Ministrit të Drejtësisë, por të tregojë se është një strukturë e pavarur, që në fakt nuk mund të jetë dhe askush nuk mund të ketë iluzionin se mund të jetë, sepse është pikërisht kjo arsyeja pse jo vetëm zoti Meta izolohet në ekstrem, por edhe procesi gjyqësor ndaj tij bunkerizohet, censurohet në mënyrë që shqiptarët të mos shohin me sytë e tyre standardin kriminal, farsën politike, ato hetime skandaloze që i janë bërë zotit Meta të cilat nuk kanë prodhuar asgjë, nuk kanë prodhuar thjesht dhe vetëm një dosje boshe, me zero fakt penal, me zero kundërvajtje administrative, me zero qindarkë të paligjshme, me zero metër katror të paligjshëm të sekuestruar.
- I bëj thirrje dhe një herë drejtorit të përgjithshëm të burgjeve, Ministrit të Drejtësisë, t’i japë fund shkeljes me dashje tanimë të ligjit, t’i japë fund shkeljes së lirive dhe të drejtave të njeriut që po i bëjnë me qëllim zotit Meta dhe jo më kot pikërisht tani kur çështja po merr rrugë për në Gjykatën e Strasburgut ku triumfi i zotit Meta do të jetë i padiskutueshëm.
- Asnjë represion, asnjë shantazh, asnjë kërcënim, nuk do të mund të thyejë dot presidentin e Partisë së Lirisë zotin Ilir Meta, nuk do të thyejë dot Partinë e Lirisë.
“`
